Mob.nr: +377 44 169018
Resmi Hoxha,
Sheshi Zahir Pajaziti, H-1 Nr.8
10000 Pristina
Kosovo
Në këtë punim është marrë për bazë Kushtetuta e Republikës së Kosovës kryesisht neni 22 i Kushtetutës, i cili përmbledh llojet e instrumenteve ndërkombëtare të cilat janë direkt të kyçura në mbrojtjen e të drejtave të fëmije edhe në Republikën e Kosovës Kosovës , reflektimin e garantueshmërisë se Kushtetutës dhe krahasimin e situatës së sigurisë së fëmijëve në aspekte të ndryshme.
Po ashtu është vu në pah edhe shkalla e eksploatimit të fëmijëve dhe efikasiteti i mekanizmave shtetërore dhe shoqërisë civile në realitetin e sotëm Kosovar.
Duke qenë i vetëdijshëm se çështja e të drejtave të fëmijëve është shumë dimensionale, atëherë do të krahasojë gjendjen faktike me normat e shkruara dhe të do të analizojë përgjegjësinë e shtetit për mbrojtjen e këtyre të drejtave.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës në parim ka paraparë liritë dhe të drejtat e njeriut të cilat janë të shumta. Me qëllim të përmbushjes së standardeve të një kushtetute të mirë dhe e cila është kompatibile me shtetet e Unionit Evropian, janë paraparë edhe të drejtat dhe lirit e njeriut.
Në përfundim të këtij punimi kam dhënë disa konkludimet të cilat dalin nga garantimi kushtetues vetëm në aspektin teorikë, pa pasur mekanizma të mjaftueshme për zbatimin praktikë.
1. Kushtetuta e Republikës së Kosovës - Garantuese e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës përveç vlerave tjera ka përligjur edhe parimet mbi mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me vet inkorporimin e Instrumenteve Ndërkombëtare në nenet ku në veçanti do të përmendej neni 22 i Kushtetutës si në vijim:
2. Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare
Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare garantohen me Kushtetutë , zbatohen në Republikën e Kosovës
dhe kanë prioritet, në rast konflikti ndaj dispozitave,ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:
· Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;
· Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj;
· Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj;
· Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;
· Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor;
· Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas;
· Konventa për të Drejtat e Fëmijës;
· Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese.
3. Instrumentet Ndërkombëtare
Të drejtat e fëmijëve bazën juridike të shkruar e kanë në një mori dokumentash ndërkombëtare përfshirë edhe Deklaratën Univerzale për të Drejtat e Njeriut (DUDNj), Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj), Konventën mbi të Drejtat e Fëmijëve të cilat edhe sipas Kushtetutës së Kosovës kanë prioritet mbi ligjet dhe aktet tjera të institucioneve publike.
4. Siguria ushqimore dhe format e eksploatimit të fëmijëve në Kosovë
Është e drejtë e çdo individi të ketë siguri ushqimore dhe obligim i shtetit që atë t’ia ofrojë. Me siguri ushqimore nënkuptojmë një situatë në të cilën njerëzit në çdo periudhë, duhet tu ofrohet mundësia e plotësimit të nevojave të tyre ushqimore për një jetë të shëndetshme. Mungesa e një sigurie të tillë për shkak të shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë sjell deri tek fenomene të tilla siq janë punësimi i fëmijëve dhe shfrytëzimi i fëmijëve për kërkim të lëmoshës si dy nga format më të shpeshta të përkrahjes së familjeve të varfëria por jo edhe si të vetmet forma të eksploatimit të fëmijëve pasi një gjendje e tillë u len hapësirë keqbërësve që të shfrytëzojnë këtë kategori të shoqërisë sonë për qëllime profiti edhe në forma më të rënda siq është trafikimi i fëmijëve dhe prostitucioni.
5. Punësimi i fëmijëve
Me punësim të fëmijëve nënkuptojmë rrethanat në të cilat një fëmijë gjatë moshës së arsimimit të obligueshëm angazhohet në veprimtari me apo pa pagesë, brenda apo jashtë familjes, në kontekst formal apo joformal, në aktivitete të ligjshme apo të paligjshme dhe atëherë kur i mohohet e drejta e tij për arsimim dhe mundësia për të arritur zhvillim të plotë fizik dhe psikologjik.[1]
Neni 32 i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve i dedikohet pikërisht çështjes së punësimit të fëmijëve dhe një herit obligon shtetet të rregullojnë dhe zbatojnë moshën minimale për punësim, numrin e orëve dhe kushtet për punësim:
“ E drejta për të qenë të mbrojtur nga eksploatimi ekonomik dhe nga kryerja e cilësdo punë e cila ka mundësi të jetë e rrezikshme apo të ndërhyjë në arsimimin e fëmijëve, të jetë e dëmshme për shëndetin e fëmijës apo zhvillimin fizik, mental, shpirtëror, moral apo social”.
Gjersa punësimi i fëmijëve pra është një prej qështjeve kyqe që ndërlidhet me Konventën për të drejtat e fëmijëve, të inkorporuar në Kushtetutën tonë, kjo paraqet një prej aktualiteteve që më së shumti është e pranishme në Kosovë dhe që më së paku luftohet nga mekanizmat shtetëror.
Sipas nenit 7 të Ligjit të Punës – të hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2010, në pajtueshmëri me Konventën për të drejtat e fëmijëve thuhet se personat mes moshës 15 dhe 18 vjeq “...mund të punësohen për punë të lehta që nuk paraqesin rrezik për shëndetin ose zhvillimin e tyre dhe nëse ajo punë nuk është e ndaluar me ndonjë ligj ose akt nënligjor.” Në paragrafin 3 të të njëjtit nen thuhet: “Asnjë punëdhënës nuk mund të lidhë kontratë pune me ndonjë person nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç.”
Në shoqërinë tonë punësimi i fëmijëve bazuar në hulumtime të ndryshme bëhet edhe nën moshën minimale të paraparë me Ligjin e punës. Një gjë e tillë bëhet edhe nga vet funksionarët e shtetit- nga ata që pritet të jenë mbrojtësit e tyre.
Në katror paraqesim një shkrim të FOL që lidhet me disa forma të abuzimit të fëmijëve:
FOL: Fëmijët të mos keqpërdorën në fushatën elektorale Duke u mbështetur në përgjegjësitë e Komisionit Qendror të Zgjedhje, Lëvizja FOL ka kërkuar që urgjentisht ky organ të diskutojë për abuzimin me fëmijët në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale 2009. Lëvizja FOL po ashtu u ka bërë thirrje partive politike që garojnë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të mos përdorin fëmijët për efekt elektoral. “Që nga fillimi zyrtar i fushatës elektorale për zgjedhjet lokale është vënë re që janë përdorur fëmijë nën moshën 18 vjeç, gjë kjo që bie ndesh me Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, në të cilën ndalohet përdorimi i fëmijëve në fushata elektorale si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës në Nenin 50, alineja 3 ku ndalohet eksploatimi i fëmijëve”, thuhet në një komunikatë të kësaj lëvizjeje. FOL u ka kërkuar partive politike të cilat synojnë të drejtojnë një shtet ligjor, që të respektojnë jo vetëm Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, por edhe etikën perëndimore ku Kosova aspiron të arrijë. “Tash e sa vite në Kosovë fëmijët dhe të rinjtë përdoren si ‘dekor’ elektoral, por shumë rrallë ata janë objekt i premtimeve të partive politike. Për më tepër, derisa partitë flasin dhe premtojnë për çështje të mëdha, tash e ndër vite, asnjëra nga to nuk e ka ndërmend të ngritë çështjen e fëmijëve të rrugës, atyre lypsarë dhe cigareshitës’, thuhet në reagim. |
Një raport tjetër që pasqyron fenomenin e punësimit të fëmijëve në Kosovë është reflektuar edhe në reportazhin e gazetares Ajete Beqiraj përgatitur për Radio Kosovën dhe Dojce Vele. Në këtë reportazh gazetarja përshkruan disa forma të rënda të punësimit të fëmijëve dhe atë se sa është i vetëdijshëm opinioni kosovar për këtë fenomen:[2]
...Duke e parë përhapjen e këtij fenomeni, qeveria e Kosovës ka formuar Komitetin Drejtues të Qeverisë për Eleminimin e Formave të Rënda të Punës te Fëmijet. Këtu vepron edhe grupi teknik për Monitorimin dhe Vlerësimin e Formave të Rënda të Punës së Fëmijëve, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Qështjeve Jorezidente të Kosovës. Labinot Berisha, zëdhënës i këtij grupi: "Kemi femijë që punojnë në deponi mbeturinash, që është e rrezikshme për vet faktin se në këto deponi mbeturinash ka erëra të ndryshme që bartin edhe semundje infektive, aq më tepër kur fëmijet nuk gëzojnë një imunitet ndaj këtyre semundjeve. Gjithashtu, rrezikohet shembja e dheut apo e mbeturinave dhe kemi raste kur fëmijet kanë përfunduar edhe nën këto mbeturina". Sa është i vetëdijshëm opinioni kosovar për pasojat që mund të ketë puna e fëmijëve? Labinot Berisha, zëdhënës i grupit punues për Monitorimin dhe Eliminimin e Formave të Rënda të Punës për Fëmijët, në Prishtinë: "Te qytetarët në përgjithësi, ky fenomen ende nuk është i kuptuar drejt. Kemi raste kur familjet nuk e kanë gjendjen e rëndë sociale që t'i obligojnë fëmijët të punojnë punë të rënda. Këtu besoj se ata në shumë situata nuk janë të vetdishëm për pasojat që mund t'i kenë fëmijët". Në Kosovë ka edhe raste të rënda sociale, kur një familje duke mos pasur kushtet elementare për jetesë, në njefare forme detyrohet që të pranojë punën e fëmijëve, ndonëse është e vetdishme se një gjë e tillë është e ndaluar. Adem Lushaj, vërteton një gjë të tillë: "Arsyeja pse fëmijët dalin në rrugë janë kushtet e vështira ekonomike. Duke e ditur se familjet janë në skamje, ata detyrohen të dalin dhe të punojnë punë të papërshtatshme për ta, qofte si stërshitës apo punë të tjera"... ... Në një hulumtim të bërë jo fort larg nga UNICEF dhe Terre de Homes, në vendet e Evropës Juglindore, Kosova është renditur e katërta në listë për trafikim të fëmijëve. |
Për neglizhencën e vet agjentëve të shtetit ndaj këtij fenomeni më së miri mund të shihet në një ekstrakt nga një emision i BIRN ku është diskutuar për qështje si: pse fëmijët e Kosovës detyrohen të punojnë; kush duhet të merret me rastet e keqtrajtimit të fëmijëve; çka ka bërë shoqëria e Kosovës për t'i mbrojtur të miturit; a janë duke u detyruar fëmijët të punojnë për arsye ekonomike dhe nëse po a është kjo e arsyeshme; a kanë marrë hapa konkret institucionet e Kosovës për t'i larguar fëmijët nga punët e vështira.[3]:
Debatuesi më kritik dhe i drejtpërdrejtë në këtë emision ishte nxënësi 15 vjeçar nga një shkollë e mesme në Prishtinë, Dardan Makolli, i cili tha se institucionet nuk kanë bërë mjaft për ta parandaluar punësimin e fëmijëve. "Unë kam parë policë nga SHPK-ja duke blerë cigare nga fëmijët në rrugë," tha Makolli. "Në vend se t'i largojnë nga rrugët, ata blejnë nga ata." |
6. Kërkimi i lëmoshës
Fenomeni i kërkimit të lëmoshës nga fëmijët na paraqitet si një realitet i Kosovës dhe shëmti e përditshmërisë sonë. Fëmijët që kërkojnë lëmoshë janë viktima potenciale të trafikimit, ndërkohë që derisa ekzistojnë ligjet që e rregullojnë këtë çështje, duhet vepruar për ta parandaluar dhe evituar lypësit nga rruga. Për këtë, nevojitet bashkëveprimi i të gjitha institucioneve përkatëse që të luftohet kjo dukuri shqetësuese.
Shkalla e lartë e papunësisë dhe mungesa e sigurimit social të kësaj kategorie të shoqërisë janë faktorët kryesor në ndikojnë në rritjen e numrit të fëmijëve që kërkojnë lëmoshë. Përfaqësues të institucioneve qeveritare pranojnë se ka pamjaftueshmëri të politikave dhe programeve për mbështetje familjeve në nevojë dhe për parandalimin e kësaj dukurie tek fëmijët si një nga mënyrat për mbështetje të familjes. Skema sociale e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale arrin të mbështes vetëm një segment të popullatës në nevojë.
Fatkeqësisht adresimi i një problemi të tillë siq është lëmosha në të shumtën e rasteve ka përfunduar vetëm me fushata të ndryshme vetëdijësimi nga faktorët vendorë dhe ndërkombëtare dhe implementimet e operacioneve të kufizuara në kohë nga ana e policisë.[4]
Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Policia lansojnë fushatën kundër kërkimit të lëmoshës nga ana e fëmijëve. "Zgjidhja e problemit të kërkimit të lëmoshës nga ana e fëmijëve kërkon përpjekje të përbashkëta nga ana e policisë, gjyqësorit, autoriteteve komunale dhe punëtorëve social. Kjo fushatë është vetëm hapi i parë. Sikur njerëzit të mos u jepnin para lypsarëve, kërkimi i lëmoshës nga fëmijët do të ishte jo fitimprurës për ata që qëndrojnë në prapaskenë dhe më këtë do të kontribuohej në reduktim të kësaj dukurie.” |
Posterë të tillë fatkeqësisht janë vetëm të natyrës informative dhe shpesh mbesin vetëm një shënim në letër dhe vetëm një program i pamundshëm për tu realizuar.
7. Pasojat e eksploatimit të fëmijëve
Ndër pasojat kryesore të eksploatimit të fëmijëve është mosvijimi i plotë apo i pjesshëm i shkollës nga ana e këtyre fëmijëve viktima të eksploatimit. Mekanizmat të tillë si ligji mbi shkollimin e obligueshëm, re-integrimi i fëmijëve që lënë shkollën dhe angazhimi i organeve për zbatimin e ligjit janë të pamjaftueshëm për luftimin e një dukurie të tillë. Dhe gjithcka po lidhet me sundimin e ligjit. Sikur sundimi i ligjit në vend, të funksiononte në nivel të duhur atëherë të gjithë mekanizmat e ndërlidhur mes veti do të mund të na qonin në të paktën reduktimin në shkallë të madhe të një dukurie të këtillë. Kjo dukuri vetëm po na sjell tek një e keqe më e madhe për Kosovën e që është: krijimi i klasës së analfabetëve të radhës e cila klasë do të jetë një barrë e ardhshme për shtetin e Kosovës dhe do të jep mundësinë për rritjen edhe të numrit të delikuentëve të rinj të cilët edhe ashtu janë të shumtë në shoqërinë tonë. Pra ndërsa ne mburremi me faktin se kemi një popullsi shumë të re në krahasim me shtetet tjera të rajonit e edhe të Evropës nga ana tjetër është vet shteti ai i cili me mungesën e mekanizmave implementues dhe mbrojtës po ndihmon në degjenerimin e kësaj popullsie të re.
8. Konkludim
Në bazë të gjithë asaj që u diskutua më lart dhe shumë e shumë faktorëve të tjerë për të cilët është e pamundur të diskutohet në një përmbledhje të shkurtër mund të konkludojmë se të drejtat e njeriut si tërësi dhe të drejtat e fëmijëve në vecanti të përligjura me Kushtetutën e Kosovës janë më tepër të kriterit deklarativ dhe pa asnjë garanci procedurale për mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe zbatimin e plotë të tyre në praktikë. Instrumentet ndërkombëtare më shumë na paraqiten si një lloj platforme që kanë karakter programi sesa që shërbejnë si listë e instrumenteve që përmbajnë norma dhe rregulla obliguese në fushën e të drejtave të njeriut.
Vet shteti ynë përmes ‘mosveprimit’ në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë po kontribuon shkëlqyeshëm në shkeljen e të drejtave dhe lirive të vet qytetarëve të vet. Nga ana tjetër edhe shoqëria civile është treguar e paaftë të ndikoj në qeverinë për të bërë ndonjë ndryshim substancial në politikat dhe qasjen e shtetit ndaj këtij problemi madhor.
Kësaj situate i kontribuon edhe më shumë fakti se kosovarëve praktikisht iu është pamundësuar qasja në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg mu për shkak se Kosova nuk është shtet anëtar i Këshillit të Evropës. Andaj si edhe gjithmonë është qytetari i Kosovës ai që po bie pre i eksperimentimeve të nivelit vendor e ndërkombëtar mbi atë se deri ku mund të shkojë qytetari ynë dhe shoqëria jonë në mungesë të sigurisë ekonomike, shëndetësore, personale e sociale.
Literatura
o Kushtetuta e Republikës së Kosovës
o Konventa për të Drejtat e Fëmijëve
o Ligji i Punës - Kosovë 2010
o Reforma e shkollimit në Kosovë- ‘Më ngadalë se dëshirat’- Qendra për të drejtat e njeriut UP Prishtinë 2003
o Ajete Beqiraj – gazetare , reportazh për punësimin e fëmijëve në Kosovë
o BIRN “ Jeta në Kosovë” -Emision ‘Të miturit që punojnë’ 15 qershor 2007
o Lëvizja FOL: Fëmijët të mos keqpërdorën në fushatën elektorale – Nëntor 2009
o Fushata e OSBE – 9 tetor 2009 mbi kërkimin e lëmoshës nga fëmijët
o Child labor in Kosovo- A study on working children UNICEF Kosovo 200
[1] Child labor in Kosovo- A study on working children UNICEF Kosovo 2004
[3] “Jeta në Kosovë” – ‘Të miturit që punojnë’ 15 qershor 2007
[4] Fushata e OSBE – tetor 2009 mbi kërkimin e lëmoshës nga fëmijët.